Post image
FJALA E DREJTORIT TË AZGJ-së, ARDIAN MUSLIU, NË SHËNIMIN E DITËS NDËRKOMBËTARE TË GJUHËS AMTARE

Feb 21, 2024

 FJALA E DREJTORIT TË AZGJ-së, ARDIAN MUSLIU, NË SHËNIMIN E DITËS NDËRKOMBËTARE TË GJUHËS AMTARE Të nderuar miq! Paraprakisht dëshiroj të shpreh kënaqësinë time të veçantë për hapjen e aktivitetit të sotëm siç është ky, aq më tepër për faktin se shkas për organizimin dhe mbajtjen e tij është pikërisht shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. Le të kujtojmë se kjo ditë shënohet anekënd botës që nga viti 1999, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me një rezolutë të veçantë, e shpalli si të tillë. Po ashtu edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës këtë ditë po e shënon në mënyrë tradicionale dhe në forma të ndryshme. Duke e ruajtur vazhdimësinë e saj, edhe sivjet kemi zgjedhur që këtë ta bëjmë në formën e një konference shkencore me temë “Gjuha shqipe – perspektivat dhe rreziqet”, e cila synon të vërë në dukje vizionin dhe perspektivën e saj, por njëkohësisht edhe pasiguritë dhe rreziqet që mund të shfaqen gjatë ecurisë së saj nëpër kohët që do të vijnë. Pa dyshim, edhe ky aktivitet dëshmon qartë për angazhimin dhe kujdesin e vazhdueshëm të AZGJ-së, e cila tashmë është bërë faktor i rëndësishëm institucional në Republikën e Maqedonisë së Veriut për zbatimin, mbrojtjen, kultivimin dhe afirmimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet shtetërore. Duke u nisur nga ky realitet pozitiv e shpresëdhënës, është plotësisht e kuptueshme se institucioni ynë u përgjigjet të gjitha ftesave dhe kërkesave që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe, duke marrë pjesë aktive në takime, konsulta e konferenca që organizohen gjithandej, duke bashkëpunuar me institucionet shkencore kudo në hapësirën shqiptare, duke shkëmbyer vizita e përvoja që kanë të bëjnë me fushën e gjuhësisë, duke trajtuar probleme terminologjike të gjuhës shqipe etj. Jam i bindur thellë se edhe sot, paraqitja juaj në këtë konferencë do të hedh dritë të re në formë konkluzash e konstatimesh të cilat do të jenë të dobishme për të gjithë ne që jemi të përfshirë në proceset e zbatimit ligjor të gjuhës shqipe, kultivimit të saj në kuptimin më praktik të saj, por edhe të mbrojtjes nga dukuritë dhe veprimet e papërgjegjshme që janë në kundërshtim me qenien dhe natyrën e saj. Pa dashur që ta zgjas më tepër, unë sinqerisht uroj dhe shpresoj që nëpërmjet këtij shënimi, të zgjojmë sadopak ndjenjën dhe vetëdijen ndaj gjuhës amtare, të reflektojmë qartë për këtë trashëgimi të rëndësishme, pa të cilën ekzistenca jonë nuk do të kishte asnjë kuptim. Thjesht gjuha amtare është baza e identifikimit tonë. Për këtë arsye le ta ruajmë e ta përdorim sa më mirë dhe sa më drejt. Le t’i dalim zot gjuhës sonë kur e shohim të rrezikuar. Faleminderit! Shkup, 21.02.2024

Post image
AZGj-ja e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Feb 21, 2024

 AZGj-ja e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare AZGj-ja e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare 21 Shkurti, i shpallur nga UNESKO-ja si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, u shënua nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës me një konferencë shkencore me temë, “Gjuha shqipe- perspektivat dhe rreziqet”. Fjalën përshëndetëse e mbajti drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, i cili e vuri theksin në kultivimin praktik të gjuhës shqipe si bazë e identitetit tonë kombëtar. Me fjalë rasti, e përshëndetën konferencën e organizuar nga AZGj-ja edhe Jeton Shaqiri, ministri i Arsimit, Sabri Laçi, dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë së Universitetit të Tiranës. Ndërsa nga Universiteti i Tetovës përshëndetën punimet e konferencës edhe rektori Jusuf Zejneli dhe Berton Sulejmani, dekan i Fakultetit të Filologjisë. Pjesa e dytë e konferencës vazhdoi me kumtesat e gjuhëtarëve titullarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ahmet Selmani, këshilltar shtetëror në AZGj, paraqiti para auditorit punimin shkencor me titull, “Gjuha si fenomen brenda kohës dhe hapësirës”, ndërsa Ajtene Ajdari Qamili nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, shpalosi kumtesën me titull, “Përballja e gjuhës shqipe me gjuhët e tjera ndër shekuj”. Shezai Rrokaj, drejtues i Departamentit të Gjuhësisë në Universitetin e Tiranës, shtjelloi temën me titull, “Gjuha shqipe, mishi dhe ashti i kombit tonë”. Anyla Saraçi, drejtuese e Departamentit të Gjuhës-Letërsisë në Universitetin e Korçës mbajti ligjëratën me temë,“Zhargoni përmes muzikës-“trend” i çoroditjes gjuhësore”. Izer Maksuti nga Universiteti i Prizrenit foli rreth temës “Ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë”. Qëndrim Morina nga Gjimnazi, “Hasan Nahi” në Prishtinë, trajtoi temën “Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj”. Në studimet e tyre profesorët e gjuhës, analizuan dhe ngritën problematikat që ndesh gjuha shqipe në RMV, Kosovë dhe Shqipëri etj, për ruajtjen e standartit në një rajon të karakterizuar nga diversiteti etnik dhe gjuhësor, si edhe përpjekjet e mbi një milion shqiptarëve në diasporën më të vonëshme, për të ruajtur gjuhën shqipe nga asimilimi si e drejtë natyrore e çdo populli. AZGj-ja e ka bërë traditë shënimin e përvitshëm të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, jo vetëm nëpërmjet takimesh profesionale me gjuhëtarë nga trevat shqiptare e diaspora, por dhe kontributin që jep për mbrojtjen dhe avancimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Në botë fliten mijëra gjuhë të ndryshme, një pjesë e 3 tyre janë të destinuara të zhduken. Gjuha shqipe nga gjuhët më të vjetra, me gjithë pushtimet dhe ndikimet e ndryshme, u ka qëndruar mijëvjeçarëve duke e ruajtur identitetin dhe karakterin e saj të veçantë. Shkup, 21.2.2024 год.

Post image
Retrospektivë 2023

Dec 21, 2023

 AktivitetetNë fillimvitin 2023, debati për gjuhën, ishte një aktivitetet jo vetëm i rëndësishëm i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, por edhe tepër thelbësor për çështjet e gjuhës shqipe. AZGj-ja ftoi në debat emra të njohur shkencëtarësh dhe gjuhëtarësh nga trevat shqiptare me në krye drejtuesit e akademive të shkencave të Shqipërisë e të Kosovës, Skënder Gjinushin e Mehmet Krajën. Midis ligjëratave dhe rrahjes së mendimeve, për ruajtjen e standardit të gjuhës, veçojmë thënien e akademik Skënder Gjinushit, i cili theksoi se, ”ishullzimet në përdorimin e gjuhës sonë të njësuar për arsye subjektive, krahas atyre të ndarjes me kufij shtetërorë, duhet t’i kapërcejmë”. Drejtori i atëhershëm i AZGj-së, Ylber Sela, në fund të debatit ndau disa mirënjohje për kontributin e dhënë ndër vite, gjuhëtarëve të pranishëm.Aktivitetet e AZGj-së vazhduan me trajnimet, tashmë traditë, të përkthyesëve dhe të lektorëve nga administrata publike dhe institucionet në RMV. Ditë pas dite, temë pas teme profesorë titullarë të gjuhës, ligjëruan dhe shpjeguan për kandidatët, unifikimin e terminologjisë profesionale në gjuhët, të cilat përdoren në vend dhe ngritjen e cilësisë së përdorimit të tyre.Në fund të trajnimit drejtori i ri i AZGj-së, Ardian Musliu, ndau rreth 70 certifikata për kandidatët pjesëmarrës, të cilat do t’u shërbejnë përkthyesëve dhe lektorëve si licencë për ngritjen e statusit të tyre.Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit, Agjencia organizoi Konferencë shkencore me temë: ”Agjencia deri më tani ka përkthyer dhe lekturuar 100.000 faqe”. Në konferencë morën pjesë të ftuar nga Universitetet e RMV-së, shoqata dhe institucione të trashëgimisë të gjuhës shqipe ku u fol dhe u shtjelluan tema nga fusha e përkthimit.Një aktivitet tjetër i Agjencisë, ishte pjesëmarrja e disa përfaqësuesve të saj, në Samitin e Diasporës në Tiranë, të cilët jo vetëm i ndoqën punimet e Samitit, por vendosën kontakte për rrugët e bashkëpunimit me të gjitha komunat arbëreshe në jug të Italisë, për të ofruar ndihmë profesionale në ruajtjen e gjuhës shqipe ndër shqiptarët e Italisë.

Post image
Retrospektiva 2023

Dec 14, 2023

 Bashkëpunime dhe memorandumeGjatë vitit që po lëmë pas, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, pati disa marrëveshje të ndryshme dhe thellim marrëveshjesh ndërinstitucionale, si edhe nënshkroi një memorandum me Delegacionin nga Zyra e Komisionerit për Gjuhët pranë Kryeministrisë së Qeverisë së Kosovës.Një nga bashkëpunimet që mund të veçohet në retrospektivë të vitit 2023, është edhe thellimi i marrëveshjes ndërmjet Qendrës Europiane të Gjuhëve Moderne në Grac të Austrisë dhe AZGj-së. Në takimin që u organizua në kuadër të bashkëpunimit, profesoresha nga Universiteti i Salcburgut, mbajti për përkthyesit dhe lektorët e AZGj-së, ligjëratën me temë “Ndërtimi i edukimit shumëgjuhësh dhe ndërkulturor për demokracitë e shekullit XXI”.Një tjetër bashkëpunim i vendosur nga një memorandum i nënshkruar më herët, ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe AZGj-së, është konkretizimi dhe avancimi i bashkëpunimit midis dy institucioneve, në lidhje me pjesën praktike të marrëveshjes, ku Agjencia tregoi gatishmëri për t’u dhënë një mundësi më tepër, (nëpërmjet leksioneve nga profesionistët e përkthimit dhe redakturës së AZGj-së), studentëve të Fakultetit të Filologjisë, për programin e ri studimor në fushën e redaktimit të gjuhës shqipe.Ndërsa bashkëpunimi që solli takimin e AZGj-së me Këshillin Nacional të Shqiptarëve të Malit të Zi, ka të bëjë me përkrahjen konkrete që AZGj-a, mund t’ua japë shqiptarëve të Malit të Zi për ruajtjen e gjuhës shqipe.Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së e mbylli vitin 2023 me memorandumin që u nënshkrua ndërmjet drejtorit të Agjencisë, Adrian Musliut, dhe udhëheqësit të delegacionit studimor të dygjuhësisë nga Kosova, Sllavisha Mlladenoviq, memorandum ky që përmbante mënyrën e ndihmës që ofron AZGj-a, me përvojën që ka, në aftësimin dhe sendërtimin e institucionit gjegjës edhe në Kosovë.

Post image
Përfaqësues të AZGj-së morën pjesë në Samitin e III të Diasporës Shqiptare në Tiranë

Nov 24, 2023

 Me ftesë të organizatorëve të Samitit të Tretë të Diasporës Shqiptare, përfaqësues të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, me në krye drejtorin Ardian Musliu, qëndruan në Tiranë për t’i ndjekur punimet e Samitit.Samiti filloi paraprakisht me Ditën e Arbëreshëve në një datë simbolike, 22 Nëntorin, dita kur në Manastir u mbajt Kongresi i Manastirit. Përfaqësuesit e AZGj-së, jo vetëm ndoqën aktivitetet e traditës arbëreshe, por vendosën kontakte për rrugët e bashkëpunimit me të gjitha komunat arbëreshe në jug të Italisë, për të ofruar ndihmë profesionale në ruajtjen e gjuhës, bashkëpunim që do të përfshijë avancimin e gjuhës shqipe tek arbëreshët e Italisë.Në ditën e dytë të Samitit, përfaqësuesit e AZGj-së, përveç manifestimit qëndror në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, i ndoqën gati të gjitha panelet, me tema të ndryshme diskutimesh, rreth bashkëpunimit ndërmjet diasporës shqiptare nëpër botë. Ndërkohë, u përqëndruan te paneli i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit e Shqipërisë, ku tema kryesore ishte gjuha shqipe, në veçanti arsimi në përgjithësi.Në vijimësi në foltoren e Samitit të Tretë të Diasporës, u ngjitën personalitete nga Shqipëria dhe diaspora, si dhe emra të njohur shqiptarësh, të cilët përcollën kryesisht mesazhet e tyre me një thelb të rëndësishëm të përbashkët, për të shkruar një faqe të re bashkëpunimi me synime të përbashkëta.Në Samit kishte një pjesëmarrje shumë të madhe të udhëheqësve më të lartë nga shtetet shqiptare, apo shqiptarë shtetëformues, si dhe njerëz me ndikim në diasporë, të suksesshëm në veprimtaritë e tyre, të cilët ngrenë imazhin e popullit tonë kudo nëpër botë.

Post image
Përdorimi i gjuhës shqipe edhe në gjyqësor

Nov 9, 2023

 Ka filluar procesi i përdorimit të gjuhës shqipe edhe në procedurat gjyqësore në RMV. Në këtë kuadër përfaqësues të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës u ftuan në Institucionin e Avokaturës së Shtetit, për të rënë dakort për redaktimin profesional gjuhësor të teksteve dhe të procedurave të tjera gjyqësore.Avokati i Shtetit, Agron Reçi, dhe bashkëpunëtorja e përkthimit Xhejlane Halimi, i pritën në hapësirat e Avokaturës së RMV-së, përfaqësuesit e AZGj-së, drejtorin Ardian Musliun, përgjegjësin e përkthimit dhe të redaktimit gjuhësor, Nebi Bilallin, këshilltarin shtetëror të bashkëpunimit me qeverinë dhe marëdhëniet me publikun, Jeton Sulejmanin dhe përfaqësuesen e kabinetit të drejtorit Nerxhivane Kuqin.Z. Reçi nga pozicioni i drejtorit të Avokaturës së Shtetit, kërkoi nga përfaqësuesit e AZGj-së, të redaktojnë një numër të konsiderueshëm shkresash dhe tekstesh delikate të akteve, procedurave e formaliteteve të tjera gjyqësore, që janë në kompetencë të Avokaturës së Shtetit të RMV-së, në gjuhën shqipe.Nga ana e AZGj-së u zotuan se do të lekturohen dhe do të redaktohen me përgjegjesi profesionale të gjitha materialet që do të dërgohen, e gjith kjo në funksion të zbatimit sa më të shpejtë të gjuhës shqipe edhe në këtë fushë të administratës gjyqësore.Me këtë bashkëpunim midis AZGj-së dhe Avokaturës së Shtetit, avancohet në një stad më të lartë procesi i dygjuhësisë në RMV

Post image
Vizitë studimore e delegacionit nga Kosova në AZGj

Oct 25, 2023

 Një delegacion i përbërë nga, Sllavisha Mlladenoviq, komisioner iZyrës për Gjuhët, Mentor Borovci, drejtor i Zyrës Ligjore, Arta Pllana, koordinatore për komunikim, Safete Grajçevci, koordinatore për sigurimin e zbatueshmërisë, Agron Gashi, koordinator, Zyra Ligjore, Shaban Ademi, drejtor i Zyrës për buxhet dhe financa, Nexhmie Xani, udhëheqëse e burimeve njerëzore, Qefsere Baliu, udhëheqëse për buxhet dhe financa, Xhavit Bulliqi, zyrtar i larë ligjor.Delegacioni u prit nga drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ardian Musliu, i cili e njoftoi lidhur me Agjencinë dhe tregoi për avancimin e zbatimit të gjuhës në RMV.Në ditën e parë kolegët nga Kosova u informuan nga përfaqësuesit e AZGj-së për gjithë ciklin e procesit të përkthimit. Protokolli vazhdoi me informacionin e përgjegjësve të sektorëve të planifikimit dhe zhvillimit në AZGj, Shpresa Zeqiri-Ibrahimi dhe Marian Patlixhankovski, të cilët shpjeguan mënyrën e funksionimit dhe ndërtimit të Agjencisë. Ndërsa Sllavisha Mlladenoviq nga Kosova, tha: Ne kemi ardhur këtu, për të parë një model nga mënyra e zbatimit të dygjuhësisë, për ta pasur më të lehtë të ndërtojmë një institucion të ngjashëm edhe në Kosovë.Dita e parë e vizitës u mbyll me nënshkrimin e një memorandumi dypalësh midis drejtorit të AZGj-së, Ardian Musliu dhe kryesuesit të delegacionit nga Kosova, Sllavisha Mlladinoviq.Ditën e dytë të diskutimeve studimore me delegacionin nga Kosova e drejtoi këshilltari shtetëror Nebi Bilalli, i cili foli për sektorin e përkthimit dhe të lekturës. Ndërsa, Jeton Sulejmani, këshilltar shtetëror i bashkëpunimit me Qeverinë dhe marrëdhënieve me publikun, Teuta Hiseni, përgjegjëse e sektorit të lekturës, Ahmet Selmani këshilltar shtetëror i redaktimit gjuhësor, prezantuan procesin e punës në sektoret përgjegjëse .Diskutimet vazhduan me pyetje dhe përgjigje ndërmjet të pranishmëve. Më pas delegacioni vazhdoi vizitën në Inspektoratin e përdorimit të gjuhëve.

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk