Biografia e Drejtorit të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës – prof. dr. Ylber Sela

Ylber Sela është Drejtori i parë i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës. Në këtë pozitë vjen pas përvojës së tij të bujshme në sferën e shoqërisë civile dhe atë universitare.

Shkollimin fillor dhe të mesën e kreu në vendlindje, kurse studimet universitare dhe pasuniversitare i kreu në Vjenë, Austri. U diplomua për shkenca politike, publicistikë dhe shkenca të komunikimit në Universitetin e Vjenës, ku edhe magjistroi. Studimet e doktoraturës i përfundoi në po të njëjtin universitet (2006), në drejtimin e shkencave politike, në fushën e politikës ndërkombëtare, me temë: “Konflikti në Maqedoni duke pasur parasysh anëtarësimin e ardhshëm të saj në Unionin Evropian.”

Karrierën si pedagog universitar e filloi në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) (2003), ku vazhdon të ligjërojë edhe sot. Gjithashtu, prof. dr. Ylber Sela është ligjërues i rregullt dhe mban titullin profesor ordinar në Universitetin e Tetovës (nga viti 2010). Ai ka ligjëruar edhe në Republikën e Kosovës, në Kolegjet Universitare FAMA, AAB, ILIRIA dhe UBT.

Përveç sferës së ligjërimit, prof. dr. Ylber Sela është kontribues edhe në sferën e literaturës. Janë mbi dhjetë botime librash në gjermanishte, shqipe dhe anglishte, si autor dhe bashkautor, pa lënë anash edhe revistat kombëtare e ndërkombëtare. Është organizator i disa konferencave shkencore, gjithashtu kombëtare dhe ndërkombëtare.

Prof. dr. Ylber Sela ka punuar si këshilltar për çështje euro-atlantike në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë së Veriut (2016-2018), ndërsa ka qenë kryetar i Komisionit për Nostrifikim të Diplomave Universitare pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut (2016-2018). Ai ka dhënë kontributin e tij edhe si anëtar i Këshillit në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut – Shkup (2012-2018).

Prof. dr. Ylber Sela udhëhoqi me sukses revistën shkencore ndëkombëtare “Universitas” (2003-2011), kontribuoi në shoqërinë civile, duke qenë sekretar i Shoqatës “Societes Albania”, Vjenë, Austri (1998-2001), si dhe sekretar dhe më vonë kryetar i Forumit për Shoqëri, Shkencë dhe Kulturë “UNIVERSITAS”. Ishte anëtar i Bordit Editorial të revistës shencore ndërkombëtare “Iliria International Review” (2013-2015). Ai është themelues dhe drejtor i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare (nga viti 2011). Përvoja e prof. dr. Ylber Selës shtrihet edhe në sferën e afarizmit, si këshilltar i jashtëm në kompaninë austriake EVN, i drejtorit mr. Georg Waldner (2008-2010).
Pas studimeve, prof. dr. Ylber Sela u kthye në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për të dhënë kontributin e tij në vendlindje. Ai jeton ndërmjet Strugës, Shkupit dhe Vjenës. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.