Retrospektivë 2023

Dec 21, 2023

Retrospektivë 2023

 

Aktivitetet

Në fillimvitin 2023, debati për gjuhën, ishte një aktivitetet jo vetëm i rëndësishëm i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, por edhe tepër thelbësor për çështjet e gjuhës shqipe. AZGj-ja ftoi në debat emra të njohur shkencëtarësh dhe gjuhëtarësh nga trevat shqiptare me në krye drejtuesit e akademive të shkencave të Shqipërisë e të Kosovës, Skënder Gjinushin e Mehmet Krajën. Midis ligjëratave dhe rrahjes së mendimeve, për ruajtjen e standardit të gjuhës, veçojmë thënien e akademik Skënder Gjinushit, i cili theksoi se, ”ishullzimet në përdorimin e gjuhës sonë të njësuar për arsye subjektive, krahas atyre të ndarjes me kufij shtetërorë, duhet t’i kapërcejmë”. Drejtori i atëhershëm i AZGj-së, Ylber Sela, në fund të debatit ndau disa mirënjohje për kontributin e dhënë ndër vite, gjuhëtarëve të pranishëm.

Aktivitetet e AZGj-së vazhduan me trajnimet, tashmë traditë, të përkthyesëve dhe të lektorëve nga administrata publike dhe institucionet në RMV. Ditë pas dite, temë pas teme profesorë titullarë të gjuhës, ligjëruan dhe shpjeguan për kandidatët, unifikimin e terminologjisë profesionale në gjuhët, të cilat përdoren në vend dhe ngritjen e cilësisë së përdorimit të tyre.

Në fund të trajnimit drejtori i ri i AZGj-së, Ardian Musliu, ndau rreth 70 certifikata për kandidatët pjesëmarrës, të cilat do t’u shërbejnë përkthyesëve dhe lektorëve si licencë për ngritjen e statusit të tyre.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit, Agjencia organizoi Konferencë shkencore me temë: ”Agjencia deri më tani ka përkthyer dhe lekturuar 100.000 faqe”. Në konferencë morën pjesë të ftuar nga Universitetet e RMV-së, shoqata dhe institucione të trashëgimisë të gjuhës shqipe ku u fol dhe u shtjelluan tema nga fusha e përkthimit.

Një aktivitet tjetër i Agjencisë, ishte pjesëmarrja e disa përfaqësuesve të saj, në Samitin e Diasporës në Tiranë, të cilët jo vetëm i ndoqën punimet e Samitit, por vendosën kontakte për rrugët e bashkëpunimit me të gjitha komunat arbëreshe në jug të Italisë, për të ofruar ndihmë profesionale në ruajtjen e gjuhës shqipe ndër shqiptarët e Italisë.

You might also like

News

Mbledhje përkujtimore në AZGj në kujtim të Renata Ballanca Asanit

Mbledhje përkujtimore në AZGj në kujtim të Renata Ballanca Asanit Në kujtim të largimit nga kjo jetë të Këshilltares shtetërore të lekturës në AZGj, Renata Ballanca Asani, e cila ndërroi jetë para disa ditësh, Agjencia organizoi një mbledhje përkujtimore me kolegët dhe familjen e afërt të Renatës. Drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, në fjalën e tij tregoi për punën, cilësitë e dukshme dhe njerëzoren e Renata Ballancës, ku midis të tjerash tha se, përkushtimi i saj për punën ishte për respekt dhe karakterizohej nga profesionalizmi, përgjegjësia dhe kolegjialiteti. Vetëm një javë para se të ndërronte jetë, ajo e dorëzoi të lekturuar Raportin vjetor të punës së Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së. Bashkëshorti i të ndjerës, Arif Asani, në emër të familjes, i falënderoi kolegët dhe miqtë e saj, që i qëndruan pranë dhe e inkurajuan në luftën e gjatë me sëmundjen e rëndë. Në mbledhjen përkujtimore mes dhimbjesh, kolegë, shokë dhe shoqe të Renatës, evokuan kujtime nga puna dhe miqësia me të. Një gjë ishte e përbashkët në kujtimet e tyre; mirësia, urtësia, hijeshia, sharmi dhe fjalët e mira që Renata la pas, ishin tiparet e saj të dallueshme, tipare këto të një gruaje të veçantë, e cila ndërroi jetë në moshë të re. Në fund drejtori i AZGj-së, ju shprehu ngushëllime bashkëshortit dhe fëmijëve të Renatës. Foto nga arkivi i AZGj-së Shkup, 18.3.2024

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk