Fjalimi i drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela me rastin e promovimit të botimit shkencor

Apr 1, 2022

Fjalimi i drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela me rastin e promovimit të botimit shkencor

“Aspektet ligjore të përdorimit të gjuhëve në

Republikën e Maqedonisë së Veriut"

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

të nderuar anëtarë të komunitetit akademik, të nderuar kolegë,

të nderuar përfaqësues të institucioneve, medieve,

të nderuar të pranishëm,

Kam nderin që së bashku me ju kemi mundësinë ta promovojmë punimin shkencor me titullin punues “Aspektet juridike të përdorimit të gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Promovimi i këtij punimi përkon me shënimin e Ditës së Gjyqësorit, duke pasur parasysh se temë kryesore e punimit është sistemi gjyqësor dhe përdorimi i gjuhëve në proceset para institucioneve gjyqësore.

Të udhëhequr nga mendimi për t'u shqyrtuar aspektet ligjore të përdorimit të gjuhëve në një fushë sociale më specifike, siç është gjyqësori, në periudhën e kaluar jemi përpjekur t'i trajtojmë situatat në lidhje me përdorimin e gjuhëve në sistemin e gjyqësorit si një nga shtyllat më të rëndësishme mbi të cilat bazohet çdo bashkësi shoqërore.

Mbrojtja e të drejtave të qytetarëve të garantuara me kushtetutë dhe me ligj, përfshirë të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre në procedurat para institucioneve gjyqësore, është jo vetëm e drejtë, por edhe nevojë për realizimin real të tyre të çdo qytetari që ka nevojë, pavarësisht nëse qytetari është palë apo mund të paraqitet në ndonjë cilësi tjetër në ndonjë procedurë të caktuar.

Jemi të vetëdijshëm se ekzistojnë një sërë sfidash me të cilat përballet sistemi i gjyqësorit, fushë në të cilën diskutohet vazhdimisht nevoja për reforma të nevojshme që duhet t'i përmirësojnë dhe avancojnë situatat.

Le të jetë ky punim motiv për ndërmarrjen e aktiviteteve dhe sigurimin e kushteve të nevojshme për realizimin e njërës prej sfidave të tilla, e që është Ligji i Përdorimit të Gjuhëve në sistemin gjyqësor.

Në fund, dëshiroj ta falënderoj bashkautorin mr. Lazo Mateskin për përkushtimin dhe bashkëpunimin në procesin e përgatitjes së punimit, recensentët prof. dr. Jeton Shasivarin dhe prof. dr. Afet Mamutin për kontributin dhe recensionin e tyre, si dhe ekipin e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, të cilët ndihmuan që ky punim të dalë në dritë.

Shpresoj që punimi do të ketë jehonë pozitive te lexuesit.

Ju faleminderit për vëmendjen!

You might also like

Speeches\Interviews

Fjalë rasti e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në shënimin e 10 qershorit, Ditës së Lidhjes së Prizrenit

Të dashur miq!Sot, kur po e shënojmë Ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u themelua më 1878, pra para 144 vjetësh, gjithsesi kemi një arsye të fuqishme për ta përkujtuar njërën nga motot kryesore të saj: “Pa gjuhë nuk ka komb”, moto kjo e cila edhe në këto rrethana na kthen tek esenca dhe semantika e saj. Nga ky këndvështrim ndoshta mund të duket pak romantike, por realisht kjo paraqet thelbin dhe vizionin kryesor të shqiptarëve në këtë periudhë të ndryshimeve historike.Pra, duhet ta përsërisim vazhdimisht se pa këtë gjuhë nuk ka asnjë perspektivë dhe as që mund ta paramendojmë ekzistencën tonë kombëtare. Siç e dimë, gjuha shqipe u kultivua nga rilindësit tanë dhe u ngrit në piedestalin më të lartë, prandaj këtë patjetër duhet ta bëjmë edhe sot pa asnjë ngurrim e pa asnjë dilemë.Duke qenë në krye të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, mua më bie barra e përgjegjësisë që testamentin kombëtar të paraardhësve tanë për gjuhën shqipe ta bëj realitet edhe në këto hapësira ku jetojmë dhe veprojmë. Kjo nënkupton faktin se gjuhën shqipe duhet ta futim në përdorim zyrtar në institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në përputhje me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, së pari duke i ndihmuar institucionet që ta zbatojnë atë me përpikëri, por nga ana tjetër edhe duke zhvilluar aktivitete që kanë të bëjnë me ruajtjen, kultivimin, afirmimin dhe trajtimin ligjor të saj. Natyrisht, pjesëmarrja jonë e drejtpërdrejtë në këto aktivitete kulturore e shkencore, por edhe bashkëpunimi me institucionet e tjera anekënd hapësirës shqiptare dhe më gjerë, aq më tepër na bën krenarë që jemi kontribues të denjë për gjuhën shqipe.Me këtë rast, unë jam i prirur që në suaza të Lidhjes së Prizrenit ta shohim edhe veten tonë si një institucion që ka lindur si rezultat i vizionit të saj për gjuhën shqipe. Prandaj konsideroj se ne jemi trashëgimia dhe vazhdimësia historike dhe aktuale, jemi bartësit e frymës dhe të ideve të saj. Me anë të gjuhës shqipe ne do të vazhdojmë të ndihemi dhe ta quajmë veten shqiptarë deri në frymën e fundit. Në fakt, kjo është një arritje e madhe qytetëruese, kulturore dhe kombëtare për të cilën duhet të mburremi brez pas brezi. Dhe si e tillë kjo i bën krenarë shqiptarët, pa i dëmtuar të tjerët në asnjë mënyrë.Në fund, dëshiroj të theksoj se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së do të mbetet besnike në këtë ecuri të pandalshme, gjithmonë duke menduar, folur e shkruar shqip. Ne çdo ditë japim mesazhin tonë: Jemi shqiptarë, prandaj duhet të flasim shqip kudo që të jemi, ndaj edhe në nivelet shtetërore. Në këtë mënyrë e përmbushim amanetin historik të Lidhjes së Prizrenit duke mbetur përjetësisht shqiptarë.Ju falemnderit![gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="8748,8751,8754"]

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk