FJALA E DREJTORIT TË AZGJ-së, ARDIAN MUSLIU, NË SHËNIMIN E DITËS NDËRKOMBËTARE TË GJUHËS AMTARE

Feb 21, 2024

FJALA E DREJTORIT TË AZGJ-së, ARDIAN MUSLIU, NË SHËNIMIN E DITËS NDËRKOMBËTARE TË GJUHËS AMTARE

 

FJALA E DREJTORIT TË AZGJ-së, ARDIAN MUSLIU, NË SHËNIMIN E DITËS NDËRKOMBËTARE TË GJUHËS AMTARE

Të nderuar miq!

Paraprakisht dëshiroj të shpreh kënaqësinë time të veçantë për hapjen e aktivitetit të sotëm siç është ky, aq më tepër për faktin se shkas për organizimin dhe mbajtjen e tij është pikërisht shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. Le të kujtojmë se kjo ditë shënohet anekënd botës që nga viti 1999, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me një rezolutë të veçantë, e shpalli si të tillë. Po ashtu edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës këtë ditë po e shënon në mënyrë tradicionale dhe në forma të ndryshme. Duke e ruajtur vazhdimësinë e saj, edhe sivjet kemi zgjedhur që këtë ta bëjmë në formën e një konference shkencore me temë “Gjuha shqipe – perspektivat dhe rreziqet”, e cila synon të vërë në dukje vizionin dhe perspektivën e saj, por njëkohësisht edhe pasiguritë dhe rreziqet që mund të shfaqen gjatë ecurisë së saj nëpër kohët që do të vijnë.

Pa dyshim, edhe ky aktivitet dëshmon qartë për angazhimin dhe kujdesin e vazhdueshëm të AZGJ-së, e cila tashmë është bërë faktor i rëndësishëm institucional në Republikën e Maqedonisë së Veriut për zbatimin, mbrojtjen, kultivimin dhe afirmimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet shtetërore. Duke u nisur nga ky realitet pozitiv e shpresëdhënës, është plotësisht e kuptueshme se institucioni ynë u përgjigjet të gjitha ftesave dhe kërkesave që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe, duke marrë pjesë aktive në takime, konsulta e konferenca që organizohen gjithandej, duke bashkëpunuar me institucionet shkencore kudo në hapësirën shqiptare, duke shkëmbyer vizita e përvoja që kanë të bëjnë me fushën e gjuhësisë, duke trajtuar probleme terminologjike të gjuhës shqipe etj.

Jam i bindur thellë se edhe sot, paraqitja juaj në këtë konferencë do të hedh dritë të re në formë konkluzash e konstatimesh të cilat do të jenë të dobishme për të gjithë ne që jemi të përfshirë në proceset e zbatimit ligjor të gjuhës shqipe, kultivimit të saj në kuptimin më praktik të saj, por edhe të mbrojtjes nga dukuritë dhe veprimet e papërgjegjshme që janë në kundërshtim me qenien dhe natyrën e saj.

Pa dashur që ta zgjas më tepër, unë sinqerisht uroj dhe shpresoj që nëpërmjet këtij shënimi, të zgjojmë sadopak ndjenjën dhe vetëdijen ndaj gjuhës amtare, të reflektojmë qartë për këtë trashëgimi të rëndësishme, pa të cilën ekzistenca jonë nuk do të kishte asnjë kuptim. Thjesht gjuha amtare është baza e identifikimit tonë. Për këtë arsye le ta ruajmë e ta përdorim sa më mirë dhe sa më drejt. Le t’i dalim zot gjuhës sonë kur e shohim të rrezikuar.

Faleminderit!

Shkup, 21.02.2024

You might also like

News

Mbledhje përkujtimore në AZGj në kujtim të Renata Ballanca Asanit

Mbledhje përkujtimore në AZGj në kujtim të Renata Ballanca Asanit Në kujtim të largimit nga kjo jetë të Këshilltares shtetërore të lekturës në AZGj, Renata Ballanca Asani, e cila ndërroi jetë para disa ditësh, Agjencia organizoi një mbledhje përkujtimore me kolegët dhe familjen e afërt të Renatës. Drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, në fjalën e tij tregoi për punën, cilësitë e dukshme dhe njerëzoren e Renata Ballancës, ku midis të tjerash tha se, përkushtimi i saj për punën ishte për respekt dhe karakterizohej nga profesionalizmi, përgjegjësia dhe kolegjialiteti. Vetëm një javë para se të ndërronte jetë, ajo e dorëzoi të lekturuar Raportin vjetor të punës së Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së. Bashkëshorti i të ndjerës, Arif Asani, në emër të familjes, i falënderoi kolegët dhe miqtë e saj, që i qëndruan pranë dhe e inkurajuan në luftën e gjatë me sëmundjen e rëndë. Në mbledhjen përkujtimore mes dhimbjesh, kolegë, shokë dhe shoqe të Renatës, evokuan kujtime nga puna dhe miqësia me të. Një gjë ishte e përbashkët në kujtimet e tyre; mirësia, urtësia, hijeshia, sharmi dhe fjalët e mira që Renata la pas, ishin tiparet e saj të dallueshme, tipare këto të një gruaje të veçantë, e cila ndërroi jetë në moshë të re. Në fund drejtori i AZGj-së, ju shprehu ngushëllime bashkëshortit dhe fëmijëve të Renatës. Foto nga arkivi i AZGj-së Shkup, 18.3.2024

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk