Post image
Ligjërata të prof. dr. Xhelal Zejnelit për teknologjitë e përkthimit

Jun 1, 2021

Në javën e katërt të trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve të sektorit publik, organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, u inkuadrua edhe prof. dr. Xhelal Zejneli, me ligjëratat e tij për teknologjitë e përkthimit. ”Përkthimi është një fushë specifike, e përmban mjeshtërinë dhe artin e vet, është veprimtari profesionale të cilën mund ta ushtrojnë vetëm personat me përgatitje universitare përkatëse.”, - thotë prof.dr. Xhelal Zejneli, në njërën nga pushimet e ligjëratave. “Në temën e trajtuar për teknologjinë e përkthimit, kandidatët u njoftuan me të gjitha problemet dhe vështirësitë, me të cilat mund të ballafaqohet një përkthyes gjatë ushtrimit të profesionit të vet. Është një punë tejet komplekse, që nënkupton përgjegjësi të madhe profesionale dhe morale, që kërkon edhe njohuri fushash të ndryshme”, nënvizon ai. Ai përshëndet këtë aktivitet të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, si një ndërmarrje të shkëlqyer që do të rezultojë me rritjen e cilësisë së përkthimit, që do të sensibilizojë opinionin dhe institucionet e shtetit për domosdoshmërinë e zbatimit të shqipes si gjuhë zyrtare në këtë vend. “Mendoj se kjo praktikë e trajnimit nuk duhet të ndërpritet, por duhet të vazhdojë edhe në faza të tjera, gjithmonë në funksion të krijimit të një kuadri sa më profesional”, tha ai, duke nënvizuar edhe punën e deritashme të AZGJ-së. “Drejtorit të AZGJ-së, profesor Ylber Selës, i dëshiroj sukses në punë edhe në aktivitetet e ardhshme. Ai, që në ditën e parë të ardhjes në këtë detyrë të përgjegjshme, ka bërë çmos që ta çojë para punën e kësaj agjencie, gjithmonë në funksion të jetësimit të shqipes si gjuhë zyrtare në vendin tonë” - tha midis tjerash prof. dr. Xhelal Zejneli. Profesor Xhelal Zejneli, pos njohurive të një linguisti, ka edhe përvojën e përkthyesit, të fituar në institucione të ndryshme shtetërore para më shumë se tri dekadash, që është e çmueshme për pjesëmarrësit në këto trajnime. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="5834,5837,5840"]

Post image
Java e dytë e trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve që organizon AZGJ-ja

May 17, 2021

Ligjërata të profesorëve Asllan Hamiti dhe Ismet Osmani Me ligjëratat e profesorëve të gjuhës, Prof. dr. Asllan Hamiti dhe Prof. dr. Ismet Osmani, sot ka filluar java e dytë e trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve të sektorit publik, të ndarë në gjashtë grupe. Prof. dr. Asllan Hamiti, profesor i katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin “Cirili dhe Metodi”, sot dhe në ditët në vijim, me pjesëmarrësit e trajnimit trajton rasat dhe frazeologjizmat në gjuhën shqipe dhe format e barasvlershme në gjuhën maqedonase. “Ky trajnim, si çdo lloj trajnimi tjetër, është mjaft i dobishëm. Në të, përkthyesit e institucioneve të ndryshme, takohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, këmbejnë përvoja të ndërsjella. Por, nga ana tjetër, në këtë trajnim ligjërojnë profesorë eminentë në fusha të ndryshme të gjuhësisë, të cilët me njohuritë e tyre të thella teorike, u ndihmojnë pjesëmarrësve që t’i zgjidhin problemet praktike”, shprehet ai. “Temë boshtе që trajtuam sot dhe do të trajtojmë në ditët në vijim me të gjitha grupet, është gramatika krahasuese midis shqipes dhe maqedonishtes dhe vëmendje të posaçme do t’u kushtojmë formave rasore të shqipes dhe barasvlerësve të tyre me maqedonishten. Po kështu, me rëndësi janë edhe frazeologjimat në të dyja gjuhët, sepse kanë specifikat e tyre”, shprehet ai, duke përfunduar se “Këto dy tema janë tepër të rëndësishme për punën e përkthyesve, sepse përbëjnë problemin kryesor në përkthim”. Prof. dr. Ismet Osmani, që po ashtu është profesor i katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin “Cirili dhe Metodi”, në ligjëratat e tij do të trajtojë çështjen e terminologjisë, me të cilën ballafaqohen çdo ditë përkthyesit dhe lektorët. “Temat që do t’i trajtoj janë nga fusha e ligjërimit të specializuar-terminologjia profesionale. Terminologjia përbën një nga nënsistemet e rëndësishme leksikore, që mendoj se gjatë trajtimit do të përpiqemi t’i gjejmë barasvlerësit në gjuhën shqipe, për të shmangur huazimet (vërshimet) e panevojshme nga gjuhët e huaja”, thotë Prof. dr. Ismet Osmani. Ai mendon se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës bën një detyrë të madhe në avancimin e njohurive dhe shkathtësive të përkthyesve, të punësuar në institucionet e shtetit, në procesin shumë të rëndësishëm të përkthimit gjatë zbatimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. “Mendoj se ky trajnim do t’ua lehtësojë punën dhe mbi të gjitha do t’i motivojë përkthyesit dhe lektorët për të qenë më kreativë në fushën e përkthimit”, nënvizoi prof. I. Osmani. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="5788,5791,5794"]

Post image
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGJ) vazhdon me trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve

May 6, 2021

Pas ndërprerjes njëmujore për shkak të masave kundër pandemisë, sot në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës vazhdoi trajnimi i përkthyesve dhe i lektorëve të sektorit publik, punën e të cilëve e përshëndetën kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Klemens Koja dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së RMV-së, Tahir Hani. Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, i njoftoi pjesëmarrësit se programi i trajnimit do të zgjasë tre muaj. Për shkak të pandemisë ata janë ndarë në gjashtë grupe nga dhjetë veta. Ai shtoi se për këtë qëllim janë “zgjedhur profesorë eminentë të fushës së gjuhësisë dhe të terminologjisë përkatëse administrative nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Çdo institucion ka dërguar përfaqësues të vet dhe trajnimet do të mbahen aq sa do të ketë nevojë”. Duke i përshëndetur pjesëmarrësit e grupit të tretë të trajnimit, kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi, tha se prej çastit kur u themelua Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, e ka arsyetuar ekzistimin e vet dhe vazhdon edhe më tej me një vrull për admirim, të zbatojë aktivitetet e duhura për të respektuar dispozitat ligjore dhe detyrimet kushtetuese të të gjitha palëve. Kryetari Xhaferi përshëndeti ambasadorin e OSBE-së, Klemens Koja, i cili, sipas tij, me përkushtim dhe përzemërsi e mbështet punën e agjencisë, por edhe atë të të gjitha institucioneve të tjera në Republikën e Maqedonisë së Veriut. “Gjuha është materie e gjallë, vazhdimisht nën ndikim të rrjedhave, ndikimeve të ndryshme dhe andaj duhet të përshtatet, të modernizohet por, jo edhe të teprohet sepse, asgjë nuk mund të krahasohet dhe të tingëllojë më bukur se gjuha e pastër, standarde por përsëri, burimore.”, vuri në dukje midis tjerash Talat Xhaferi, duke i përshëndetur dhe duke u uruar punë të mbarë pjesëmarrësve. Nëpërmjet platformës “Zoom”, ambasadori Klemens Koja, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, e përshëndeti nismën e AZGJ-së për trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të sektorit publik. Ai tha: “Ne në Misionin e OSBE-së në Shkup besojmë se ruajtja e të drejtave individuale dhe të bashkësisë, respektimi i dallimeve, promovimi i larmisë etnike, kulturore e gjuhësore, si dhe nxitja e bashkëveprimit ndërmjet pjesëtarëve të shoqërisë, janë jetike për një shoqëri të pasur, gjithëpërfshirëse për të gjithë”. Ambasadori Koja shprehu kënaqësinë e tij për mundësinë e bashkëpunimit me AZGJ-në, që nga themelimi i saj, duke shtuar se ky mision: “mbetet i përkushtuar në mbështetjen e të gjitha tentimeve për të konsoliduar sistematikisht një shoqëri gjithëpërfshirëse. Këtë e bëjmë në partneritet me të gjithë autoritetet, siç është Agjencia e Zbatimit të Gjuhës”. Në emër të Qeverisë së RMV-së foli zëvendëssekretari i përgjithshëm, Tahir Hani, i cili në fillim citoi një mendimtar që ka thënë se çështja e gjuhës është tepër serioze që t’u lihet vetëm gjuhëtarëve, që do të thotë se edhe bartësit e funksioneve duhet të angazhohen për krijimin e terminologjisë dhe të standardeve të qëndrueshme. “Përkthimi, lekturimi, por edhe korrektura, janë procese të lidhura ngushtë dhe plotësojnë njëra tjetrën”, tha ai, duke shtuar se Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së RVM-së ka përkrahur dhe do të vijojë të mbështesë Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës në përgatitjen e kuadrit profesional. Hani shprehu besimin e tij se trajnimet do të kontribuojnë në avancimin e standardeve për zbatimin e drejtë të gjuhës shqipe. Ai, po ashtu, tha se sot situata në këtë drejtim ka avancuar, edhe pse akoma ka institucione të cilat nuk kanë siguruar numër të mjaftueshëm të përkthyesve, por dhe institucione që hasin në vështirësi kur është në pyetje terminologjia gjuhësore. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="5773,5770,5767,5764,5781"]

Post image
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës filloi trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të sektorit publik

Apr 5, 2021

Prej sot, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës do të trajnojë 66 përkthyes dhe lektorë të institucioneve të ndryshme të administratës. Siç i informoi drejtori i agjencisë, Ylber Sela, në hapjen solemne, ky është trajnimi i parë i këtij lloji në vendet e rajonit. Sela tha se agjencia, që në fillim të punës së saj, ka vërejtur një sërë problemesh në përdorimin e gjuhëve, veçanërisht në përdorimin e terminologjisë, prej nga dhe doli nevoja për harmonizim të saj në gjuhët që përdoren në administratë. Edhe qëllimi i këtij trajnimi është përshtatur sipas nevojave të përkthyesve dhe lektorëve të të gjithë institucioneve, të organeve të administratës, së pari të ministrive, të ndërmarrjeve publike dhe të gjykatave, për çka janë angazhuar profesorët më eminentë nga Maqedonia е Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Ai përkujtoi se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës tashmë ka botuar një doracak për administratorët, që është i pari në rajon i këtij lloji dhe planifikon edhe hartimin e një softueri të terminologjisë juridike e administrative, që do të jetë një ndihmesë e madhe praktike për administratën. Trajnimin e përshëndeti edhe ministrja e Kulturës, Irena Stefoska, e cila midis tjerash theksoi se kujdesi për gjuhën është pasuria më e madhe që mund ta ketë një popull dhe se kemi përgjegjësi të madhe si shoqëri dhe qytetarë, që t’i kultivojmë gjuhët që fliten në Republikën e Maqedonisë së Veriut. “Siç ka thënë linguisti i njohur dhe miku i madh yni, prof. Viktor Fridman, Maqedonia është zemra e kontakteve ballkanike”, theksoi Stefoska. Duke përshëndetur iniciativën për trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve, ministrja Stefoska, tha se nevojat për njohje profesionale të gjuhëve dhe zbatimit të tyre në sferën publike është thelbësore për funksionimin e jetës së përditshme. Kjo nënkupton unifikim të terminologjisë profesionale në gjuhët që përdoren në vend dhe ngritjen e cilësisë së përdorimit të tyre. Ministrja Stefoska tha se angazhohet për kthimin e dinjitetit të punës së përkthyesve, kurse paralajmëroi edhe licencimin e lektorëve në gjuhën shqipe, në të njëjtën mënyrë siç është i rregulluar statusi i lektorëve të gjuhës maqedonase. Punë të mbarë e të suksesshme ju uroi pjesëmarrësve të trajnimit edhe Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Sistemit Politik, Rami Qerimi. Trajnimet ishin paraparë të mbahen në tri grupe, ku do të trajtoheshin tema të ndryshme nga fusha e përkthimit, si një ndihmesë praktike në zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, në ruajtjen, promovimin dhe mbrojtjen e gjuhëve zyrtare dhe statusin e tyre të barabartë në RMV, por për shkak të masave të reja të Qeverisë nga situata me Covid 19, trajnimet do të shtyhen për një periudhë të caktuar, me ç’rast kandidatët pjesmarrës do të njoftohen me kohë për mbajtjen e tij. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="5736,5733,5730,5727,5724"]

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk