Post image
Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela u takua me drejtoreshën e Bibliotekës “Vëllezërit Milladinov” në Shkup

Jun 29, 2021

Në suaza të vizitave të zakonshme, drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela, sot zhvilloi një takim zyrtar me Suzana Danaillovën, drejtoreshë e Bibliotekës së qytetit “Vëllezërit Milladinov” në Shkup. Me këtë rast ai e njoftoi homologen e tij lidhur me punën që po bën AZGJ-ja duke i ndihmuar institucionet shtetërore për ta zbatuar Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, përkatësisht përdorimit të gjuhës shqipe. Në suaza të kësaj, ai theksoi se duhet të vendoset një bashkëpunim konkret mes këtyre dy institucioneve, duke i ofruar ndihmë në aspektin e përkthimit dhe lekturimit të tabelave, akteve, shkresave, formularëve etj. Veçmas ai e vuri në spikamë çështjen e librezave të anëtarësisë në këtë bibliotekë të cilat tani janë vetëm në një gjuhë. Nga ana tjetër, drejtoresha Suzana Danailova theksoi se kjo bibliotekë punon sipas sistemit COBIS me të cilin janë të lidhur, prandaj librezat në një gjuhë janë të vjetra, por librezat e reja që do t’i bëjmë tani e tutje do të jenë në dy gjuhë. Për sa i përket përkthimit në këtë institucion, ajo theksoi se janë të punësuar njerëz adekuat të cilët po e kryejnë mirë punën e tyre. Por, shtoi më tej ajo, nëse na shfaqet nevoja për ndonjë ndihmë rreth përkthimit, atëherë gjithsesi do ta kërkojmë këtë nga ana e agjencisë suaj. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6102"]

Post image
Profesorët Adnan Jashari dhe Afet Mamuti mbajtën ligjërata për terminologjinë juridike

Jun 24, 2021

Dy ligjëruesit e radhës në trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të institucioneve shtetërore, profesorët Adnan Jashari dhe Afet Mamuti, u paraqitën para përkthyesve dhe lektorëve me temën e terminologjisë juridike në dokumentet zyrtare dhe aktet ligjore. Sipas tyre, duhet bërë përpjekje maksimale që terminologjia që përdoret në institucionet publike të jetë sa më e unifikuar. Që të dy vënë në dukje rëndësinë e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve dhe rolin e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës në ngritjen e cilësisë së përdorimit dhe të statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedoninë e Veriut. Prof. dr. Adnan Jashari, ligjërues në Universitetin e Europës Juglindore, trajtoi temën e terminologjisë juridike të korrespodencës ekonomike, të afarizmit dhe të kontratave dhe shprehu kënaqësinë dhe entuziazmin për arritjet e deritashme, ndonëse siç thotë ai, “ka edhe shumë punë për të bërë”. “Me qëllim që në të ardhmen të arrijmë që të bëjmë unifikimin e terminologjisë gjatë përkthimeve të akteve të ndryshme, si ato ligjore, si ato administrative, gjyqësore, apo shkresave të ndryshme, në një farë mënyre të përforcohet dhe të koordinohet lidhshmëria midis përkthyesve dhe Agjencisë në njërën anë, dhe Agjencisë dhe ekspertëve nga sfera të ndryshme, në anën tjetër.”, thotë profesori Adnan Jashari. Sipas tij, e gjithë kjo do të krijojë parakushte që përkthimet e vendimeve, të ligjeve, dhe të akteve të tjera zyrtare, të unifikohen në aspekt terminologjik. Më tej, ai vlerësoi edhe kontributin e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe të drejtorit Ylber Sela, nëpërmjet aktiviteteve dhe botimeve të shumta, e sidomos nëpërmjet trajnimit të përkthyesve të lektorëve të institucioneve publike. Edhe prof. dr. Afet Mamuti, ligjërues në Universitetin e Tetovës, trajtoi temë të ngjashme, atë të përkthimit të terminologjisë juridike në ligje. “Prof. Ylber Sela ka bërë një punë mjaft të mirë, veçanërisht me aktivitetet që po organizon, siç është edhe ky i fundit, me trajnimin e përkthyesve nga të gjitha institucionet, duke nisur nga kryeministria, nga ministritë, drejtoritë, agjencitë e ndryshme, ku për disa ditë radhazi na u dha mundësia që t’i diskutojmë disa çështje, veçanërisht që kanë të bëjnë me përkthimin e akteve normative. Diskutimet që i kishim me kandidatët, ishin mjaft produktive dhe temat që i prekëm besoj se do të jenë një ndihmesë e madhe me rastin e përkthimit të dokumenteve, që kur të merr qytetari të lexojë aktin normativ, të përdoret terminologji e njëjtë, e qartë, e saktë dhe të mos ketë dykuptimësi”, thotë profesori Afet Mamuti. Ai thotë se pas nxjerrjes së Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, statusi i gjuhës shqipe pësoi një ndryshim rrënjësor në pikëpamje të avancimit të përdorimit të saj, çfarë nuk e kishte para këtij ligji. Këtë e ndihmoi veçanërisht krijimi i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, e cila vendosi komunikimin me Tiranën dhe Prishtinën zyrtare “për të bërë unifikimin dhe standardizimin e disa termeve që duhej të bëjnë të punësuarit nga kjo Agjenci” dhe se pas gjithë këtyre aktiviteteve, shumë më lehtë do të jetë në të ardhmen. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="6072,6075,6078"]

Post image
Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela - në Javën e Albanologjisë në Prishtinë

Jun 22, 2021

Dje në Institutin Albanologjik të Prishtinës u hap Java e Albanologjisë, e 12-ta me radhë, ku të pranishmit i përshëndeti drejtori i këtij institucioni dr. Hysen Matoshi, i cili u uroi mirëseardhje dhe punë të mbarë. Po ashtu, pjesëmarrësit i përshëndeti edhe ministrja e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci. Në këtë aktivitet shkencor e kulturor që do të zhvillohet deri më 23 qershor dhe ku do të trajtohen aspekte të ndryshme që kanë të bëjnë me zhvillimin e terminologjisë në gjuhën shqipe, si dhe shumë çështje të tjera të fushës albanologjike, me ftesë të organizatorit mori pjesë edhe drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela, i shoqëruar edhe nga përgjegjësi i Sektorit të përkthimit dhe lekturës, Ahmet Selmani. Drejtori Sela zhvilloi takime të shumta me personalitete të jetës shkencore e shoqërore dhe me studiues të ndryshëm të albanologjisë. Me këtë rast për bibliotekën e AZGJ-së, atij ia dhuruan edhe disa nga botimet më të reja të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Po ashtu, drejtori Y. Sela vizitoi edhe Institutin e Studimeve Sociale dhe Humanistike, ku u takua me drejtorin e saj, Arsim Sinani, si dhe profesorët e Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli dhe Selim Bezeraj. Gjatë këtij takimi u bisedua lidhur me bashkëpunimin ndërmjet institutit në fjalë dhe Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës. Me këtë rast drejtori Sinani i dhuroi disa botime të institutit të tij. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="6051,6054,6057,6060,6063"]

Post image
Ligjërata të profesorëve Valter Memisha dhe Izer Maksuti për leksikografinë dhe përkthimin e teksteve shkencore

Jun 17, 2021

Këtë javë, trajnimi i përkthyesve dhe i lektorëve të administratës ka vazhduar me profesorët Valter Memisha dhe Izer Maksuti, i pari me ligjërata për rolin që ka leksikografia në procesin e përkthimit, ndërkaq i dyti është përqendruar në përkthimin e teksteve të specializuara dhe shkencore. Që të dy e vlerësojnë lartë këtë aktivitet, por dhe të gjitha aktivitetet që ka ndërmarrë Agjencia e Zbatimit të Gjuhës që nga themelimi i saj e deri sot, si meritë e drejtorit Ylber Selës me stafin profesional. “Më vjen mire që Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e ka ngritur nivelin e punës së vet në tri shtylla kryesore: në të parën, shkuarja tek librat, veprat shkencore që lidhen me shqipen në përgjithësi dhe shqipen standarde në veçanti. Shtylla e dytë është organizimi i veprimtarive shkencore, sidomos të konferencave në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, duke synuar dhe realizuar ardhjen e mendimit shkencor më të pjekur, më të konsoliduar dhe më të frytshëm për mbarëvajtjen e gjithë punës dhe synimeve që i ka vendosur kjo agjenci. Dhe së treti, ku jam përfshirë edhe unë për momentin, është kualifikimi i punonjësve të administratës”, thotë prof. Dr.Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (Akademia e Studimeve Albanologjike), si dhe kryetar i Komisionit të Përhershëm të Gjuhës dhe të Letërsisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Edhe prof. dr. Izer Maksuti vë në dukje rolin e jashtëzakonshëm të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, duke u bërë një institucion i njohur në vend dhe në të gjitha qendrat tjera albanologjike, e duke bashkëpunuar me studiuesit më të njohur në vend dhe në hapësirat shqiptare e më gjerë. Lidhur me trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve Maksuti thotë se është një dhuratë shtesë nga Agjencia, sepse këtu trajtohen tema nga më të ndryshmet, u ofrohet material, mësim dhe përvojë nga studiues të gjuhës, që janë vendimtare në procesin e përkthimit. Prof. Izer Maksuti thotë se në zbatimin Ligjit, vendimtar është vullneti politik, por në anën tjetër edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve, duke qenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për shkrimin e gjuhës shqipe krahas maqedonishtes. “Në qoftë se e përdorim ne shqipen në mbarë vendin, nëse shqipja është në institucione, atëherë janë edhe shqiptarët. Roli identitar i përdorimit të gjuhës shqipe në institucione është vendimtar për shqiptarët e Maqedonisë.”, vë në dukje prof. dr. Izer Maksuti. Trajnimi i përkthyesve dhe i lektorëve vazhdon edhe për disa javë. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="6024,6027,6030,6033,6036,6039"]

Post image
Botime me vlerë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhuratë për AZGJ-në

Jun 14, 2021

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, z. Ylber Sela priti sot prof. dr. Valter Memishën, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (Akademia e Studimeve Albanologjike), si dhe kryetar i Komisionit të Përhershëm të Gjuhës dhe të Letërsisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, i cili, ditëve në vijim, është njëri nga ligjëruesit në trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të administratës shtetërore. Gjatë takimit të përzemërt, drejtori Sela dhe prof. dr. Valter Memisha folën për shumë probleme të gjuhësisë dhe të përdorimit të gjuhës shqipe, të folur dhe të shkruar, në të gjitha fushat, mes tjerash edhe në administratën shtetërore. Me këtë rast, mysafiri nga Tirana i dhuroi Agjencisë botimet leksikografike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të viteve të fundit: Fjalorin e gjuhës shqipe, 2006, me 48.000 fjalë, me 5000 njësi frazeologjike dhe 120.000 kuptime; Fjalorin e gjuhës shqipe, 2020, me 35.000 fjalë dhe 3000 njësi frazeologjike, një vepër që i kushtohet së shumti ligjërimit të shkollarëve të sistemit parauniversitar, por edhe ligjërimit studentor; Fjalorin e gjuhës shqipe të Aleksandër Xhuvanit, një vepër e përgatitur nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, në bazë të fjalëve dhe të kuptimeve që kishte mbledhur dhe regjistruar profesor Xhuvani gjatë jetës së tij, por që nuk mundi t’i përpunonte leksikografsht dhe të hartonte një fjalor. Vepra ka 17.000 fjalë dhe 1500 njësi frazeologjike. Po kështu, prof. dr. Memisha i dhuroi Agjencisë edhe Gramatikën historike të gjuhës shqipe të akademikut Kolec Topalli, e cila ecën në linjën e Gramatikës historike, të hartuar nga akademiku Shaban Demiraj, por që sjell dhe prurje të reja që e pasurojnë këndvështrimin shkencor, si dhe risi në studimet e strukturës gramatikore të shqipes në zhvillimin e saj historik. Dhuratë me vlerë janë edhe veprat e akademikut Jani Thomai, “Studime për gjuhën shqipe”, në pesë vëllime, ku janë përfshirë artikuj studimorë që i përkasin leksikologjisë, semantikës leksikore, leksikografisë, dialektologjisë, kulturës së gjuhës etj. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="6002,5999,6005"]

Informacion kontakti
  • rr., “Filipi i Dytë i Maqedonisë” nr. 11, kati i 3-të
    Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk